top of page

Interesi për të vizituar malet e Shqipërisë nuk është i ditëve të sotme. Turistë apo udhëtarë të huaj, janë magjepsur prej tyre.  Nuk ka një periudhë të caktuar kur këshillohet të vizitohen këto vende. Disa nga këto vende janë ideale për të kaluar festat e fundit të vitit, në rast se dëbora, skitë, shëtitja në mal,  çmimet ekonomike dhe gatimet tradicionale janë “përbërësit” që ju kërkoni.

 

Voskopoja sot është një nga pikat më të fuqishme turistike e kulturore në rajonin e Korçës. Kjo i dedikohet pozicionit gjeografik malor, peisazhit të bukur gjithëvjetor dhe historisë thuajse legjendare të këtij qyteti të dikurshëm. Prej disa vitesh, ky vend vazhdon të mbetet preferenca e shumë prej familjeve shqiptare, që zgjedhin këtë vend për të kaluar festat.  Jo të gjithë ama, e dinë që në dimër funksionon pista e skive. Kështu, këtu ka dy pista skish, njëra ndodhet  në lartësi 1400 metra dhe me gjatësi 800 metra, ndërsa tjetra ndodhet në lartësinë e 1600 metra, me gjatësi 700 metra. Në Voskopojë zhvillohen tre lloje sportesh: rrëshqitje me ski, ecje me ski dhe rrëshqitje me slita. Për fillestarët, këtu do të gjeni mjetet e nevojshme për sportin e skive, si dhe shoqërim dhe trajnim për fëmijë e të rritur. Ata që nuk janë të apasionuar pas skive, mund të zgjedhin shëtitje në mal, të shijojnë ajrin e pastër, ose gjuetinë. Kuzhina tradicionale e me ushqime bio, është një arsye më shumë për  të nxitur turistët të frekuentojnë këto zona. Gjatë dimrit në lokale gatimet më të preferuara mbeten mishi i pjekur, lakrori dhe turshitë.Për  çdo informacion të nevojshëm, në qendër të Voskopojës ndodhet Zyra e Turizmit, ku mund të gjeni informacione rreth akomodimit,  materiale orientimi si harta, guida, broshura etj.

Fshati turistik i Dardhës, ndodhet 19 km në juglindje të Korçës, në një lartësi prej 1300 metrash mbi nivelin e detit. Fshati është relativisht i ri, nëse do të pranojmë të tillë kohën prej tre shekujsh qëkurse kemi të dhëna historike. Në periudhën e dimrit ky fshat tejmbushet nga dëbora.  Pikërisht në këtë periudhë Dardha frekuentohet nga një numër i madh turistësh, të cilët tërhiqen nga ajri i pastër, klima dhe qetësia që ofron ky fshat.  Shumë prej turistëve zgjedhin këtë fshat sidomos prej pistës së skive. Jo shumë kohë më parë, në këtë vend, erdhën dy austriakë. Ishin ata, që propozuan që pista e skive duhej të ishte në lartësi. Kështu, pista ndodhet në lartësinë ndërmjet  1586 metra dhe 1644 metra. Kjo pistë  quhet Bigëll dhe ndodhet ndërmjet  Dardhës dhe Boboshticës. Gjithashtu në Dardhë ekziston dhe një ski-lift (teleferik për skiatorët) i thjeshtë që ndihmon ushtruesit të ngjiten në majë të djerrinës. Ndërsa ata që dëshirojnë mund ta ngjisin këtë pistë në këmbë, e më pas të zbresin me ski, duke bërë një bashkim ndërmjet skive dhe alpinizmit. Përsa i përket akomodimit,  në Dardhë turistët mund të zgjedhin ndërmjet shtëpive të banorëve dhe hoteleve, me çmime ekonomike dhe me kushte shumë të mira. Nuk mund të largohesh nga Dardha pa provuar ushqimet karakteristike si lakrori, oshmaret, kërnackat, mishin e pjekur etj. Gjithashtu, ju duhet patjetër të provoni gatimet e amvisave të Dardhës. 

Fshati i Razmës, është një nga pikat turistike më të afërta me qytetin e Shkodrës. 

Ka një klimë tipike malore me ajër të pastër. Ky vend është ideal për ata që janë të apasionuar pas alpinizmit dhe skive. Maja e Veleçikut është një pistë natyrore për të bërë ski, shëtitje, ngjitje apo çdo lloj sporti tjetër që mund të ushtrohet në dëborë. Edhe sporti i gjuetisë mund të aplikohet këtu për turistët e apasionuar, sepse larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egër është e shumë llojshme. Zona e Razmës është e pasur me mjaft kafshë të egra siç janë ujku, derri i egër, dhelpra, kaprolli, lundërza, rreqebulli, lepuri i egër, ketri, etj. Ndërsa  shpendët që gjenden në këtë zonë, më të përmendurat janë skifteri, orli, thëllëza e malit, etj. Përsa i përket akomodimit, vizituesit mund të zgjedhin mes hoteleve që nga ata luksoz, e deri te ata të thjeshtë. Gjithashtu, banorët e zonës kanë hapur shtëpitë karakteristike për të pritur vizitorët. Gatimet janë tradicionale dhe kryesor mbetet ferliku, i cili piqet në ambiente të jashtme. Për të shkuar deri atje, udhëtimi nga Shkodra bëhet me furgonë deri në Razëm. Udhëtimi zgjat një ore. Duke qenë se rruga është e rikonstruktuar, edhe pse është e ngushtë, është e mundur të shkohet lehtësisht dhe me automjete të vogla. 

Boga ndodhet në pjesën e sipërme të “Përroit të Thatë”, rreth 48 km në veri të qytetit të Shkodrës dhe vetëm 37 km larg qytetit të Koplikut. 

Boga për arsye të karstit ka shumë shpella dhe galeri nëntokësore të cilat i plotësojnë kërkesat e eksploratorëve të ndryshëm duke ia shtuar kështu vlerat turistike kësaj zone. Ndër shpellat kryesore mund të përmendim: Shpella e Puçit, e cila është shpella më e madhe në Shqipëri dhe ndodhet në të djathtë të majës së Çardakut. Kjo shpellë shkon deri në 200 m thellësi, vazhdon me një galeri të gjatë që shkon deri në 1 km dhe përgjatë saj gjenden disa puse, në fundin e së cilës rrjedh edhe një perrua i vogël. Shpella e Husit , gjendet pranë asaj të Puçit. Edhe kjo shpellë ka shumë galeri me një thellësi mbi 130 m por për arsye të dëbores dhe akullit të përjetshëm që përmban nuk ka qenë i mundur eksplorimi i plotë i saj. Ndër shpella të tjera përmendim gjithashtu: Shpella e Gjek Markut, Shpella e Silikokave, Shpella e Zanave e cila ka një pjerrësi në zhytje dhe Shpella e Madhe. Këtu është e mundur të zhvillohen sporte natyrore siç është alpinizmi i cili mund të aplikohet me ngjitje në majat që janë përreth kësaj zone. Larmia e relievit krijon mundësi për ngjitje alpine të kategorive të ndryshme si për fillestarë ashtu edhe për profesionistë.Shtrirja e majave me lartësi mbi 2000 m në këtë zonë i jep mundësi zhvillimit të alpinizmit sidomos me malin e Rabë. Ndër sportet e tjera që mund të zhvillohen janë: gara me kuaj (hipizëm), shëtitje me biçikleta (këto mund të zhvillohen në pjesën e sipërme të luginës në fushën e Okolit),sporti i gjuetisë etj. Për zhvillimin e sportit të skive nuk plotëson kushtet e nivelit të lartë, por për pista amatore ka vende mjaft të përshtatshme. Kjo zonë ofron interes të veçantë gjithashtu edhe për zoologët, sepse numri i shpendëve dhe kafshëve të egra është mjaft i madh si në lloje ashtu edhe në sasi. Në këte zonë mund të gjenden nga llojet e shpendeve thellënza e malit, shqiponja e malit, shepka, gjeli i egër, pula e pyllit, pëllumbi i egër dhe mullizeza. Nga kafshët mund të gjenden dhia e egër, derri i egër, ujku, vjedulla, dhelpra, macja e egër etj.

 

Fshati Valbonë është gati 1000 metra mbi nivelin e detit. Aktualisht fshati Valbonë ka rreth 30 shtëpi, kryesisht kulla të vjetra 2 – 3 katëshe me mure të trasha guri e çati karakteristike alpine prej dërrase. Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës, ndodhet 25-30 km në veri të qytetit të Bajram Currit. Në mes të parkut kalon lumi i Valbonës. Ky lum buron nga shpatet e malit të Jezercës dhe është lumi më i madh i Alpeve që derdhet në Drin. Kjo zonë është e njohur dhe për troftën e rrallë dhe të njohur që rritet në këto zona.  Pyjet ruajnë mes tyre një botë shtazore të egër me ujqër, arinj, drerë, dhelpra, e shpendë, ku mes tyre është edhe shqiponja.Përsa i përket akomodimit në Valbonë nuk ka hotele të mirëfilltë, por disa shtëpi – kulla karakteristike që janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët. Çmimet e fjetjes dhe ushqimit janë të arsyeshme. Ushqimet tradicionale të kësaj zone përfshijnë mishin e kecit, të qingjit, pastërma, fli, pite me mazë, etj. Telefonat celularë në Valbonë janë jashtë funksionit dhe nuk të hyjnë në punë. Kjo është zona më e ftohtë e vendit, me dimër të ashpër e të gjatë. Periudha më e ftohtë është nga dhjetori në shkurt. Në disa raste temperaturat zbresin nga -10 gradë celcius deri në -20. Bora arrin trashësinë nga 1.5 metra deri në 5 metra. Gjatë periudhës së dimrit, për shkak të trashësisë së borës, rrugët mund të jenë të pakalueshme. 

Parku Kombëtar i Thethit gjendet në Alpet shqiptare, pranë Bjeshkëve të Namuna, 70 km nga qyteti i Shkodrës, në një lartësi prej 800 m nga niveli i detit. Thethi shquhet për kontrastet e relievit, ujvarave, e bimësisë. Këtu mund të organizohet aktivitete të shumta natyrore si ngjitjet malore, speleologjia (turizmi i shpellave), kajaket në përroin e Thethit, peshkimi sportiv malor, sportet dimërore në shpatet natyrore me dëborë, biçikleta malore, etj. Vitet e fundit Thethi është kthyer në destinacion për grupe alpinistësh Evropian për të parë shpella te ndryshme dhe për të gjetur të reja të paeksploruara ende në këtë zonë te virgjër. Udhërrëfyesit mund t’ju çojnë në shpellën që gjëndet në Majën e Harapit, Majën e Shtegut (Qeta e shtjerrave) që ndodhet një shpellë e paeksploruar më parë. Tunelet brenda në shpellë (Maja e Harapit) do t’u çojnë në tre liqene të brendshme. Për këto ekspedita duhet të jeni të pajisur me të gjitha mjetet që nevojiten për eksplorimin në shpella . Në majën e Harapit gjithashtu gjendet edhe një faqe vertikale shkëmbore prej 900 metrash të lartë e cila është shumë sfiduese për alpinistët që kryejnë ngjitje shkëmbore. Për të apasionuarit pas peshkimit, në Theth gjenden disa vende të mundshme për të peshkuar troftën e lumit. Një nga vendet e përshtatshme për peshkim është Ura e Kolajve dhe Ura e Gerlës. Kjo e fundit është edhe një vend mahnitës për të notuar. Në Ndërlysë gjithashtu ka vende të përshtatshme për të kapur peshq të mëdhenj si dhe për t’u argëtuar në ujin e kristaltë të lumit, për ata që kanë për zemër sportin e notit. Nëpërmjet kanotazhit mund të arrini cepat më të fshehur e më të paarritshëm të natyrës së Thethit. Akomodimi në Theth bëhet në hane ose në banesa të zakonshme, tipike për zonën. Këto dhoma ofrojnë fjetje, ushqim, shoqërim për shëtitje në pjesë të tjera të zonës. Banesat janë të rikonstruktuara dhe të përshtatura për turizëm, të pajisura me orendi e kushte bashkëkohore.Kuzhina tradicionale e Thethit përbëhet nga "ferliku" (mish i pjekur), gatimi i troftës së përroit të Thethit, si dhe nënprodukte të  qumështit (djathrat e ndryshëm, gjiza, kosi i fresket, etj).

Vermoshi, përbën skajin më verior të Shqipërisë. Ndodhet 95 km nga qyteti i Shkodrës dhe është pjesë e komunës së Kelmendit, ku ndodhen dhe fshatra të tjerë me potenciale turistike si Tamara, Selca, Qafa e Perdolecit, etj.   Fshati është i ngritur mbi një luginë me origjinë akullnajore, e vendosur në lartësinë 1100 m mbi nivelin e detit. Në të dyja anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota.  Vermoshi shquhet për panoramën e tij, si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit. Malet qe rrethojnë këtë fshat, ngrihen në lartësin nga 1500 metra deri në 2000. Këto male janë të veshura me pyje të dendura, e janë banesa e shumë shpendëve dhe kafshëve të egra, si ariu i murrmë, kaprolli, ujku, derri e dhia e egër. Livadhet dhe kullotat alpine rrisin mbi 30 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike si boronica, mjedra, bliri, etj. Aktivitetet kryesore që zhvillohen në Vermosh janë ngjitjet malore në malësinë e Marlules, shëtitjet në luginat e thella alpine (të Lepushes dhe Cemit), skitë në shpatet natyrore me borë, gjuetia, peshkimi i troftës, etj. Një aktivitet tjetër janë turet e biçikletave malore. Në këtë zonë ka harta të detajuara me itineraret. Të gjithë pushuesve u ofrohet shoqërim në mal dhe shëtitje në Bjeshkë.Në Vermosh ka një hotel të vogël dhe 15 bujtina, të cilat janë me çmime shumë të lira. Përveç këtyre, mund të gjeni dhe vende kampingu. Në qendër të fshatit do të gjeni bare dhe dyqane me artikuj të ndryshëm. Ushqimi që ofrohet është ai tradicional, ku spikatin bulmetrat, të cilët janë të famshme për cilësinë e tyre. Specialitetet e zonës përfshijnë mish qengji, kaçamak, ferlik, mish lepuri të egër, revania dhe petullat me mjaltë, etj. 

Turizmi

  Çfarë të bëni në këto dy muaj?

 

What's up Albania

© Interns. October-December 2014, MFA 

Let’s Connect
  • Facebook Basic Black
  • Twitter Basic Black
  • Google+ Basic Black
bottom of page